Si hapet një biznes në Kosovë: regjistrimi në ARBK hap pas hapi
Regjistrimi i biznesit në Kosovë hap pas hapi: biznes individual apo SH.P.K., dokumentet për ARBK-në, NUI-ja, TVSH-ja dhe kuponi fiskal.
Regjistrimi i biznesit në Kosovë bëhet në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), në njërën prej qendrave komunale ose online, dhe regjistrimi fillestar nuk paguhet. Për biznes individual ju duhen formulari i aplikimit dhe letërnjoftimi; për SH.P.K. edhe statuti dhe marrëveshja e inkorporimit, ose akti i themelimit kur themeluesi është vetëm një. Pas regjistrimit, biznesi merr numrin unik identifikues (NUI), me të cilin njihet edhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Para regjistrimit: zgjidhni formën e biznesit
ARBK regjistron disa forma biznesi, nga biznesi individual (B.I.) e ortakëritë deri te shoqëria aksionare (SH.A.) dhe degët e kompanive të huaja. Për biznes të vogël, zgjedhja zakonisht bëhet mes dy formave: biznes individual ose SH.P.K.
Biznes individual apo SH.P.K.: dallimet kryesore
Sipas Ligjit Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare (përveç rreshtit për tatimin, që e rregullon legjislacioni tatimor):
| Biznes individual (B.I.) | SH.P.K. | |
|---|---|---|
| Person juridik | Jo | Po, i ndarë nga pronarët (në ligj: aksionarët) |
| Përgjegjësia për borxhet | Pronari përgjigjet pa kufizim, me gjithë pasurinë personale | Shoqëria përgjigjet me asetet e veta; pronari nuk përgjigjet për borxhet e saj vetëm pse është pronar |
| Kush e themelon | Një person fizik | Një ose më shumë themelues |
| Emri zyrtar | Emri dhe mbiemri i pronarit, me «B.I.» | Përmban «SH.P.K.» |
| Kapitali minimal | Nuk kërkohet | Ligji nuk cakton minimum (10.000 € kërkohen vetëm për SH.A.) |
| Afati i regjistrimit (neni 17) | Jo më vonë se 2 ditë pune pas pranimit të aplikimit | Njësoj: jo më vonë se 2 ditë pune |
| Tatimi mbi të ardhurat | Tatimi në të ardhurat personale | Tatimi në të ardhurat e korporatave |
Cila formë ju leverdis tatimisht, e sqaroni me kontabilistin para se të aplikoni. Tatimi në qarkullim apo në fitim →
Dokumentet që ju duhen
Sipas Udhëzimit Administrativ (MINT) Nr. 01/2021 për Regjistrimin e Shoqërive Tregtare (neni 5 për B.I., neni 8 për SH.P.K.):
Për biznes individual
- formulari i ARBK-së për regjistrimin e biznesit individual;
- kopja e dokumentit të identifikimit të pronarit (letërnjoftimi ose pasaporta).
Për SH.P.K.
- formulari i ARBK-së për regjistrimin e SH.P.K.-së;
- kopjet e dokumenteve të identifikimit të themeluesve dhe të përfaqësuesit të autorizuar;
- marrëveshja e inkorporimit, e nënshkruar nga të gjithë themeluesit, ose akti i themelimit kur SH.P.K. ka vetëm një themelues;
- statuti, si shtojcë e saj.
Ligji (neni 24) kërkon edhe vendimin për emërimin e përfaqësuesit të autorizuar dhe pëlqimin e tij me shkrim. Te SH.P.K. ky është drejtori menaxhues; statuti mund të caktojë edhe të tjerë.
Formularin e përgatit ARBK; kur aplikoni online, të dhënat i plotësoni drejtpërdrejt në sistem. Nëse pronari nuk vjen vetë, ligji lejon që aplikimin ta dorëzojë përfaqësuesi me prokurë.
Regjistrimi në ARBK, hap pas hapi
- Zgjidhni veprimtarinë. Zgjidhni kodin e veprimtarisë kryesore nga lista që publikon ARBK.
- Plotësoni formularin për formën që keni zgjedhur dhe bashkëngjitni dokumentet.
- Dorëzoni aplikimin personalisht në një qendër komunale të ARBK-së, me dokument origjinal identifikimi, ose online në rbk.rks-gov.net.
- Plotësoni mangësitë, nëse ka. Kur aplikimi është i paplotë, ARBK ju njofton dhe cakton një afat deri në 10 ditë pune për korrigjim.
- Merrni certifikatën e regjistrimit me NUI-në. Sipas ligjit, ARBK e bën regjistrimin jo më vonë se 2 ditë pune pas pranimit të aplikimit.
NUI-ja: një numër për ARBK-në dhe ATK-në
NUI është numri me të cilin ARBK e regjistron biznesin. Sipas Ligjit Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, biznesi që regjistrohet në ARBK nuk ka nevojë të pajiset veçmas me numër fiskal në ATK.
NUI-ja shfaqet në deklaratat tatimore, në fatura dhe në çdo kupon fiskal; termat e kuponit i shpjegon fjalori i fiskalizimit.
Kur duhet regjistrimi në TVSH
TVSH-ja ka rregullat e veta, të përcaktuara në Ligjin Nr. 05/L-037 për TVSH-në:
- Pragu. Regjistrimi është i detyrueshëm kur qarkullimi brenda vitit kalendarik kalon 30.000 €.
- Afati. Detyrimi lind kur kalohet pragu dhe ATK-ja njoftohet brenda 15 ditëve kalendarike. Regjistrimi vlen nga data e tejkalimit të pragut, prandaj TVSH-ja llogaritet që nga ajo datë, edhe kur njoftoni brenda afatit. Kush vonohet, regjistrohet nga ATK-ja me efekt prapaveprues.
- Regjistrimi vullnetar. Nën prag mund të kërkoni regjistrim vetë. Çregjistrimi nuk lejohet para se të kalojë së paku një vit kalendarik pas vitit të regjistrimit.
Ndiqni qarkullimin çdo muaj, që të mos e kaloni pragun pa e vënë re; regjistrimin vullnetar dhe normat e TVSH-së i vendosni me kontabilistin.
Pas regjistrimit: çka rregulloni në javët e para
- Llogaria bankare e biznesit, e ndarë nga ajo personale.
- Lejet dhe licencat. Disa veprimtari kërkojnë leje nga komuna ose licencë nga institucioni përkatës; pyetni para se të hapni.
- Kontabilisti. Merruni vesh kush i mban librat, cilat deklarata dorëzohen në ATK dhe kur.
- Punëtorët. Nëse punësoni, ATK-në e njoftoni për kontratën e punës një ditë para se punëtori ta fillojë punën (Ligji Nr. 08/L-257, neni 43). Për pagat dhe kontributet pyetni kontabilistin. Deklarimi i punëtorëve →
- Ndryshimet në ARBK. Ndryshimi i adresës, veprimtarisë ose pronarëve paraqitet në ARBK brenda 15 ditëve. Shumica e ndryshimeve paguhen, p.sh. ndryshimi i adresës 2,50 € te B.I. dhe 5 € te SH.P.K., sipas Udhëzimit Administrativ (MINT) Nr. 12/2022; shuarja e biznesit, si regjistrimi, nuk paguhet.
Para shitjes së parë: kuponi fiskal
Sipas Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026, kush furnizon mallra ose shërbime për konsumatorin e fundit lëshon kupon fiskal, pavarësisht mënyrës së pagesës. Kur blerësi është biznes, zakonisht lëshohet faturë tatimore; por udhëzimi e trajton si konsumator të fundit edhe biznesin që blen për nevojat e veta, jo për rishitje, prandaj në raste të paqarta pyetni kontabilistin. Kuponi jepet në momentin e pagesës, edhe kur paguhet paraprakisht; kur pagesa bëhet më vonë me marrëveshje, jepet në momentin e furnizimit.
Nëse u shitni konsumatorëve të fundit, mënyra e lëshimit të kuponit duhet të jetë gati para ditës së parë të punës. Biznesi që u shet vetëm bizneseve nuk detyrohet të instalojë SEF, por lëshon faturë tatimore.
Udhëzimi e kalon fiskalizimin drejt Softuerit Elektronik Fiskal (SEF) të certifikuar nga ATK: sipas nenit 50, kush nuk kishte arkë fiskale kur hyri në fuqi udhëzimi nuk detyrohet të pajiset me të, por duhet të instalojë SEF. Për biznes të ri, rruga e zakonshme është SEF; për arkë fiskale klasike, konfirmoni më parë me ATK-në. Dallimet mes tyre → Numrin e SEF-it kontrollojeni në regjistrin publik të ATK-së. Si verifikohet →
Para se ta përdorni cilindo SEF, biznesi duhet të pajiset me Kodin Unik për Fiskalizim: kërkesa bëhet në EDI të ATK-së, te menyja «Fiskalizimi» → «Kërkesë për Fiskalizim». Edhe certifikata dixhitale, që ATK-ja e lëshon për çdo SEF të instaluar, kërkon numrin e fiskalizimit nga sistemi elektronik i ATK-së.
Kendrix POS është SEF i certifikuar nga ATK, me nr. SEF 812113983327. Me këto të gatshme, programi gjatë instalimit regjistrohet në ATK dhe pajiset me certifikatën dixhitale që lëshon ATK-ja. Licenca aktivizohet me telefon brenda minutash dhe instalimi zakonisht përfundon brenda ditës. Kendrix e bën instalimin në lokal, kudo në Kosovë. Të dhënat e certifikimit →
Nëse doni ta shihni si lëshohet kuponi fiskal para se të vendosni, thirrni 044 205 994 — demonstrimi është falas.