← Blog

Fatura tatimore në Kosovë: çka duhet të përmbajë, me dhe pa TVSH

Elementet e detyrueshme të faturës tatimore në Kosovë, fatura me dhe pa TVSH, profaktura, nota e kreditit dhe kur mjafton kuponi fiskal.

Fatura tatimore është dokumenti me të cilin shitësi në Kosovë dëshmon një shitje, zakonisht te një biznes tjetër: çka u shit, kujt, me çfarë çmimi dhe sa TVSH u ngarkua. Përmbajtjen e saj e përcakton Kapitulli XV i Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, veçmas për blerësin e regjistruar dhe atë të paregjistruar për TVSH.

Fatura, profaktura apo kupon fiskal: cili dokument kur

Neni 5 i Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026 e bën ndarjen: te konsumatori i fundit lëshohet kupon fiskal, ndërsa për persona fizikë afaristë, persona juridikë dhe të tjerë përdoret faturë tatimore.

DokumentiKur përdoretÇka duhet ditur
Kupon fiskalShitje te konsumatori i funditNuk vlen si dëshmi për zbritjen e TVSH-së
FaturëShitje te bizneset dhe të tjerët që nuk janë konsumatorë të funditKur palët janë të regjistruara për TVSH, hyn në librin e shitjes së shitësit dhe në librin e blerjes së blerësit
ProfakturëOfertë para shitjesLigji për TVSH-në nuk e përmend

Pra, blerësi biznes që e zbret TVSH-në ka nevojë për faturë, sepse kuponi fiskal vetëm nuk mjafton për zbritjen. Por kjo nuk e heq kuponin: sipas nenit 4 të udhëzimit, biznesi që e blen mallin ose shërbimin për nevojat e veta, jo për rishitje ose për zhvillimin e veprimtarisë, mund të llogaritet konsumator i fundit dhe atëherë i lëshohet kupon fiskal. Si t’i kombinoni kuponin dhe faturën, pyesni kontabilistin ose ATK-në.

Profaktura është dokument paraprak: çmimet dhe kushtet që ia dërgoni klientit para se ai të vendosë. Dy rregulla kanë rëndësi:

  • për paradhënien e pranuar para furnizimit lëshohet faturë (neni 44), ndërsa kur paguan konsumatori i fundit kërkohet edhe kupon fiskal në momentin e pagesës (neni 6 i UA 01/2026). TVSH-ja bëhet e ngarkueshme kur pranohet pagesa (neni 22);
  • nëse lëshoni faturë para furnizimit, TVSH-ja bëhet e ngarkueshme kur lëshohet fatura. Prandaj dokumenti paraprak shënohet qartë si profakturë ose ofertë.

Në Kendrix POS për market, oferta e ruajtur bëhet faturë me një klik.

Çka duhet të përmbajë një faturë tatimore

Kur edhe shitësi edhe blerësi janë të regjistruar për TVSH, neni 45 kërkon këto të dhëna:

  • data e lëshimit;
  • numri rendor që e identifikon faturën;
  • numri i TVSH-së dhe numri fiskal i shitësit;
  • numri i TVSH-së dhe numri fiskal i blerësit, kur blerësi është i obliguar të paguajë TVSH-në për furnizimin;
  • emri dhe adresa e plotë e shitësit dhe e blerësit;
  • sasia dhe natyra e mallit, ose vëllimi dhe natyra e shërbimit;
  • data e furnizimit ose e pagesës, kur dallon nga data e lëshimit;
  • shuma e tatueshme për secilën normë ose lirim, çmimi për njësi pa TVSH dhe uljet që nuk janë përfshirë në çmim;
  • norma e TVSH-së;
  • shuma e TVSH-së.

Për ngarkesën e kundërt shënohet referenca në dispozitën përkatëse, dhe shumat shprehen në euro (neni 51).

Fatura me TVSH: baza, norma dhe tatimi për secilën normë

Kur fatura ka artikuj me norma të ndryshme, baza (vlera pa TVSH) dhe TVSH-ja tregohen veçmas për secilën normë. Shembull:

RreshtiSasiaÇmimi pa TVSHBazaNormaTVSH
Artikulli A10 copë5,00 €50,00 €18%9,00 €
Artikulli B4 kg2,50 €10,00 €8%0,80 €
Gjithsej60,00 €9,80 €

Totali për pagesë: 69,80 €.

Normën e secilit artikull nuk e zgjidhni ju kur e lëshoni faturën: e përcakton ligji, dhe për rastet e paqarta pyesni kontabilistin. Normat i kemi shpjeguar te Normat e TVSH-së në kuponin fiskal; për llogaritje të shpejtë përdorni kalkulatorin e TVSH-së.

Fatura pa TVSH: kur lëshohet dhe çka shënohet

Ka dy raste kryesore:

  1. Shitësi nuk është i regjistruar për TVSH. Regjistrimi bëhet i detyrueshëm kur qarkullimi brenda vitit kalendarik kalon 30.000 € (neni 6). Ai hyn në fuqi në datën kur kalohet pragu, dhe ATK-ja duhet njoftuar brenda 15 ditëve kalendarike (neni 7). Nëse vonoheni, ATK-ja ju regjistron me efekt prapaveprues nga ajo datë. Para kalimit të pragut, nëse nuk jeni regjistruar vullnetarisht, fatura lëshohet pa TVSH. Mos e shfaqni TVSH-në në faturë: sipas nenit 52, kushdo që e paraqet TVSH-në në një faturë detyrohet ta paguajë. Përmbajtjen e kësaj fature ligji për TVSH-në nuk e rendit; konfirmojeni me kontabilistin.
  2. Shitësi është i regjistruar, por furnizimi është i liruar nga TVSH-ja. Në faturë shënohet dispozita e ligjit që e përcakton lirimin (nenet 45 dhe 46).

Fatura e thjeshtuar

Ligji e quan “faturë të thjeshtësuar” faturën e nenit 46, atë që i lëshohet një blerësi që nuk është i regjistruar për TVSH. Ajo kërkon më pak të dhëna se fatura e nenit 45: për blerësin mjaftojnë emri, adresa dhe numri identifikues tatimor, ndërsa shumat jepen si vlerë pa TVSH, TVSH dhe total për pagesë.

Sipas nenit 49, fatura e thjeshtuar lëshohet kur:

  • furnizimi është 500 € ose më shumë; ose
  • blerësi është person jo i tatueshëm që ushtron aktivitet ekonomik; sipas nenit 46, ai duhet ta kërkojë faturën vetë.

Te konsumatori dokumenti i zakonshëm është kuponi fiskal, por për një shitje prej 500 € e më shumë te një individ neni 49 kërkon edhe faturë të thjeshtuar; si t’i kombinoni, pyesni kontabilistin.

Nota e kreditit: si korrigjohet një faturë e lëshuar

Kur baza ose TVSH-ja në një faturë të lëshuar duhet korrigjuar, p.sh. pas kthimit të mallit ose një uljeje të mëvonshme, furnizuesi lëshon notë dhe e trajton atë si faturë (neni 47). Sipas përkufizimeve të nenit 2 të ligjit:

  • notë krediti, kur TVSH-ja në faturë ishte më e lartë se detyrimi real;
  • notë debiti, kur ishte më e ulët.

Nota mban shënimin «notë krediti» ose «notë debiti», i referohet faturës origjinale dhe përmban datën, numrin rendor, të dhënat e palëve me numrat fiskalë (dhe të TVSH-së, kur i kanë), arsyen e korrigjimit, bazën dhe TVSH-në e korrigjuar.

Sipas nenit 65 të Udhëzimit Administrativ MF Nr. 03/2015, nota vlen vetëm kur palët janë pajtuar për korrigjimin. Nota e kreditit regjistrohet me minus te shitësi në librin e shitjes dhe te blerësi në librin e blerjes; nota e debitit i rrit të dyja. Shihni edhe librin e shitjes dhe të blerjes.

Afati i lëshimit, numërimi dhe ruajtja

  • Afati: fatura lëshohet para ditës së 15 të muajit që vijon pas muajit kur ka lindur detyrimi (neni 44). Për disa furnizime të ndara brenda periudhës tatimore mund të lëshohet një faturë përmbledhëse.
  • Numërimi: dokumentet mbahen të radhitura sipas numrit rendor (neni 56).
  • Ruajtja: faturat që lëshoni dhe që pranoni, bashkë me notat, kuponët dhe librat, ruhen së paku gjashtë vjet, ndërsa dokumentet për pasurinë e paluajtshme 20 vjet (neni 56 i ligjit për TVSH-në). Neni 6 i Ligjit Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore kërkon afate më të gjata për disa regjistra: pasuritë që zhvlerësohen më shumë se gjashtë vjet (jetëgjatësia e zhvlerësimit plus një vit), kontratat afatgjata të ndërtimit (gjashtë vjet pas përfundimit të projektit), shërbimet elektronike dhe ari i investueshëm (dhjetë vjet).

Ofertat, faturat dhe librat në Kendrix ONE

Kendrix ONE mban për çdo klient një kartelë me kontaktet, projektet, ofertat dhe faturat; oferta eksportohet si PDF dhe dërgohet me email. Libri i Shitjes dhe Libri i Blerjes eksportohen sipas shablloneve Excel të ATK-së, ndërsa Deklarata e TVSH-së përgatitet nga këta libra. Shihni Kendrix ONE →

Nëse doni ta shihni si punon kjo me të dhënat tuaja, thirrni 044 205 994. Demonstrimi është falas.

Shihni Kendrix POS Kontakti

Shihni sistemin para se të vendosni.

Demonstrim falas — në lokal ose nga distanca.